Universiteti “Hëna e Plotë-Bedër” organizoi Konferencën Shkencore: “Kosova, 5 vjet pavarësi, sfida dhe arritje”
Universiteti “Hëna e Plotë-Bedër”, organizoi sot Konferencën Shkencore “Kosova, 5 vjet pavarësi, sfida dhe arritje” me të ftuar studiues, politikanë në detyrë gjatë krizës së Kosovës, pjestarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si edhe pedagogë dhe studentë nga universitete të ndryshme.
Pjesëmarrës si kumtues në konferencës ishin z.Ferdinand Xhaferaj, z.Mark Marku, z.Hysamedin Feraj, z.Gëzim Podgorica si edhe z.Niuton Mulleti., ndërsa të pranishëm në sesionin e hapjes duke mbajtur edhe fjalë përshëndetëse ishin ish-kryeministri në kohën e krizës së Kosovës, z.Pandeli Majko dhe historiani Arben Puto.
Konferencën e hapi Rektori i Universitetit “Hëna e Plotë-Bedër”, Dr.Ferdinand Gjana i cili u fokusua tek sakrifica që duhej të bënin shqiptarët për dekada me radhë për të arritur në këtë ditë, pavarësimin e Kosovës. "Liria është shumë e vështirë për t’u fituar, por gjithashtu edhe për t’u administruar. Megjithatë, Kosova, dhe ne bashkë me të, në këtë 5- vjetor është krenare për atë që ka arritur”, - tha ai.
Ish-kryeministri Majko, një figurë shumë e dashur në Kosovë për shkak të kontributit të qevrisë së tij në atë periudhë, u ndal te rregullimi i kësaj padrejtësie që i ishte bërë kombit shqiptar rreth tetë dekada më parë si edhe rolin e madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim. “Presidenti amerikan Uillson bëri të mundur ruajtjen e ekzistencës së shtetit shqiptar gjatë Konferencës së Paqes së Parisit, kurse pasardhësit e tij kontribuuan në pavarësimin e Kosovës”, - tha ai.
Deputeti Mark Marku foli mbi inciativën e ndërmarrë në Kosovë për krijimin e kombit Kosovar madje edhe të një gjuhe të veçantë nga shqipja standarde. “Ka aktorë politikë ndërkombëtarë që janë të interesuar që shtetit të ri të Kosovës t’i krijojnë edhe një komb të ri, kombin kosovar. Problemi qëndron në faktin se simbolika e imponuar e shtetit të Kosovës është krejtësisht e re dhe qëllimshëm pa asnjë referencë kombëtare”, - tha ai.
Ndërkohë, politikani Ferdinand Xhaferaj theksoi rrezikun që i kanoset rajonit nga një ndarje e mundshme e Kosovës, ashtu siç edhe pretendojnë qarqe të caktuara në Beograd. Sipas tij, një hap i tillë do të nxiste destabilitet në zona të ndryshme të Ballkanit, si Maqedonia, Bosnja apo vetë Serbia.
Historiani Arben Puto shpjegoi se sakrifikimi i tokave shqiptare në favor të shteteve të tjera Ballkanike u bë me qëllim arritjen e një marrëveshje midis fuqive të mëdha duke u “flijuar në altarin e paqes”, siç tha ai, por kjo u pa vetëm një vit më vonë që ishte një zgjidhje e dështuar pasi filloi lufta e parë botërore.