Zhvillohet konferenca me temë "Marrëdhëniet ekonomike Indonezi-Shqipëri”
Universiteti Hëna e Plotë (Bedër) në bashkëpunim me Ambasadën e Indonezisë në Sofje dhe Dhomën e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit (ACITAD) organizuan sot konferencën e përbashkët me temë: "Marrëdhëniet ekonomike Indonezi-Shqipëri”.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ambasadori Indonezian z. Bunyan Saptomo, Drejtori i përgjithshëm i ACITAD z.Blenard Durmishi, zv Ministrja e Ekonomisë znj. Brunilda Paskali si dhe përfaqësues të botës së biznesit.
Në fjalën e tij përshëndetëse rektori i Universitetit Bedër z.Gjana si drejtues i institucionit mikëpritës të këtij aktiviteti, pasi i uroi të pranishtmit për pjesëmarrjen i njohu ata me ecurinë e deritanishme dhe projektet për të ardhmen dhe profilin ndërkombëtar të institucionit. Një element i këtij profili janë edhe studentët nga indonezia që studiojnë në Universitetin Hëna e Plotë Bedër.
Ndërsa zv ministrja Paskali pasi bëri një rezyme të kushteve të favorshme dhe avantazheve që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, u ndal në kushtet aktuale të tregtisë mes dy vendeve. Ajo prezantoi për të pranishmit politikat e qeverisë shqiptare në fushën e nxitjes së investimeve dhe shprehu gadishmërinë për të çuar përpara marrëdhëniet ekonomike me Indonezinë.
Nga ana e tij Ambasadori Indonezian theksoi rëndësinë e ndërthurjes së dy kulturave intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Ai u ndal në pozitën shumë të favorshme që ka vendi ynë në rajon dhe i bëri thirrrje investitorëve nga Indonezia për të zbuluar mundësitë që ofron ekonomia shqiptare.