“Korniza ligjore për bashkëpunimin ndërshtetëror në menaxhimin e krizave të emigracionit dhe refugjatëve”
Departamenti i Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër, në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Lubljanës, Slloveni, organizuan konferencën e parë Ndërkombëtare me temë: “Korniza ligjore për bashkëpunimin ndërshtetëror në menaxhimin e krizave të emigracionit dhe refugjatëve”
Në ceremoninë e hapjes së konferencës ishin të pranishëm zv. Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, Ms. Masa Šiftari, Prof. Dr. Vasilka Sancin, zv. Dekanja e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Ljubljanës, Rektori i Institucionit Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Përgjegjësi i Departamentit të Drejtësisë në Bedër, z. Ferdinand Xhaferaj, akademikë të ardhur nga vende të ndryshme të ballkanit, të ftuar specialë e studentë të shumtë.
Pas fjalës hapëse të kryetarit të konferencës z. Xhaferaj, ku pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në aktivitet dhe palën bashkëpunuese për të vënë në jetë këtë platformë të diskutimit të krizave aktuale në botë që kanë të bëjnë me emigracionin dhe refugjatët i’a la fjalën zv. Ambasadores Šiftari, e cila u shpreh entuziaste për bashkëpunimin e ngushtë jo vetëm në nivel shtetëror por tashmë edhe në nivel akademik ndërinstitucional ndërmjet Sllovenisë dhe Shqipërisë.
Më tej ishte radha e Rektorit të Institucionit z. Gjana, i cili pasi ndau me të pranishmit rëndësinë e menaxhimit të krizave të tilla në ditët e sotme, theksoi se e ardhmja e përbashkët duhet të ndërtohet nga kontributi i të gjithëve ne, prandaj gjetja e zgjidhjeve të mundshme për bashkëpunimin ndërshtetëror në menaxhimin e krizave të emigracionit dhe refugjatëve, është mision që duhet konkretizuar sa më parë.
Ndërsa zv. Dekanja e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Ljubljanës, Prof. Dr. Vasilka Sancin, njëkohësisht edhe folësja kryesore e konferencës, gjatë referimit ndau me të pranishmit një sërë problematikash të hasura në menaxhimin e krizave të emigracionit dhe refugjatëve.
Pas përfundimit të ceremonisë së hapjes punimet e konferencës vazhduan më tej në disa sesione të ndryshme paralele ku referuesit pjesëmarrës ndanë me të pranishmit një sërë aspektesh që lidhen jo vetëm me aktualitetin e krizës së emigrantëve por edhe me zgjidhet e implementueshme në çdo rast.
Ndër temat e shumta që u trajtuan nga të ftuarit përmendim: “Siguria kombëtare dhe e drejta për azil”, “Siguria ndërkombëtare e refugjatëve e parë në kontekstin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, “Implementimet legale në zgjidhjen e krizave të refugjatëve dhe sfidat për menaxhim”, “Parashikimi i emigrimit në ligjet ndërkombëtare” etj.