Zhvillohet konferenca shkencore me temë: "Familja në një kontekst global"
Bedër në bashkëpunim me Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, zhvilluan konferencën e përbashkët shkencore me temë: “Familja në një kontekst global: Perspektivat aktuale dhe të së ardhmes”.
Punimet e konferencës u përshëndetën nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e tij Z. Bujar Nishani, i cili gjatë referimit të tij e cilësoi familjen si një prej qelizave bazë të shoqërisë dhe ftoi të rinjtë dhe institucionet që të jenë shërbëtorë të devotshëm të saj. Po ashtu gjatë ceremonisë së hapjes ishte i pranishëm edhe Shkëlqesia e tij Vincenzo Paglia, President i Këshillit Papnor për Familjen në Vatikan, i cili gjatë referimit mbi dashurinë në familje e vuri theksin te harmonia familjare si një element thelbësor në zgjerimin e saj në rang kombëtar.
Ndërsa Sh. T. Alberto Cutillo, Ambasador i Italisë në Shqipëri, në fjalën e tij përshëntetëse tha se: “Nyja kryesore e jetës dhe ekzistencës tonë është familja. Për këtë pasuri, ne të gjithë së bashku duhet të bëjmë më shumë duke qenë të bashkuar dhe duke punuar për të përmirësuar kushtet për një familje të shëndoshë.”
I pranishëm në këtë panel ishte edhe Nunci Apostolik në Shqipëri. Sipas tij këndvështrimi shpirtëror i aspekteve të ndryshme të shoqërive të sotme është themelor në garancinë e një familjeje të ndërtuar mbi baza të forta për brezat e rinj.
Më tej Rektori i Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen si dhe bashkëpunëtorët në organizimin e kësaj konference, u shpreh se sot ka tendenca për të nënvlerësuar apo edhe zhvlerësuar plotësisht rolin real dhe të natyrshëm të familjes, duke e shkatërruar atë si strukturë sociale.
“E gjitha kjo nuk do t’i shërbente aspak shoqërisë në parametrat e modernitetit dhe globalizmit, ndërtimit të saj në përputhje me standardet e qytetërimit aktual. Prandaj lind nevoja e mbështetjes së krijimit dhe forcimit të familjes, duke i dhënë kësaj strukture një dimension më të qëndrueshëm ligjor, kulturor dhe social dhe forcimit të personalitetit dhe pozitës së gruas dhe burrit, duke i parë këto si elemente të rëndësishme të paqes dhe zhvillimit të njerëzimit.”- tha ai.
Punimet e kësaj konference i përshëndeti gjithashtu edhe Rektori i Universitetit Zoja e Këshillit të Mirë, Prof. Bruno Giardina, i cili e vlerësoi si të frytshëm bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve dhe të një rëndësie të veçantë trajtimin e një tematike të tillë për brezat e rinj.
“Familja, është detyrë e përbashkët, jo vetëm në konekstin e krijimit por edhe në atë të ruajtjes dhe mirëfunksionimit të saj”- u shpreh ai.
Pas përfundimit të ceremonisë së hapjes, ishte radha e sesionit të parë me referimet shkencore të akademikëve të shquar si: Prof. Dr. Briseida Mema , Universiteti Bedër, Prof. Tritan Shehu, Universiteti Katolik ZKM, Dr. Atakan Derelioglu, Universiteti Bedër, si dhe Prof. Raul Caruso, Universiteti Katolik i Milanos, të cilët gjatë prezantimit të punimeve përkatëse sollën në fokus rëndësinë e familjes në një kontekst gloabl, rrugëtimin e saj ndër shkekuj si dhe aktualitetin e saj në ditët e sotme.