Zhvillohet Konferenca VI Ndërkombëtare në Shkenca Humane
Fakulteti i Shkencave Humane në Kolegjin Universitar “Bedër” zhvilloi Konferencën e Gjashtë Ndërkombëtare në Shkenca Humane, me temë: “Studimet gjinore, Ligji, Media dhe Shoqëria”.
Konferenca mblodhi edhe këtë vit së bashku akademikë, studiues, ekspertë e profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët ndanë eksperiencat dhe përfundimet e tyre kërkimore. Punimet e konferencës u përqendruan kryesisht mbi rolin e ligjit, medias dhe shoqërisë kundrejt barazisë gjinore.
Në fjalën e hapjes, Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Dr. Rrahim Ombashi, përshëndeti dhe uroi të ftuarit dhe pjesëmarrësit në konferencë. Më tej, në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë që ka femra në shoqërinë shqiptare, si dhe rolin e saj në historinë dhe traditën tonë.
Ndërsa Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Dr. Robert Gajda, preku çështjet dhe aspektet ligjore në lidhje me gjininë. Ai theksoi rëndësinë e ligjit në këto çështje, duke e parë atë jo vetëm si detyrim, por edhe si kulturë jetese. Më tej ai u shpreh se ligji është i mirë por ka disa probleme në zbatim.
Konferencën e përshëndeti edhe këshilltarja e Avokatit të Popullit, znj. Jorida Rustemi. Ajo theksoi rolin e medias në tërësi dhe të medias sociale në veçanti në edukimin gjinor. Znj. Rustemi tha se media sociale prevalon në formimin apo edukimin e të rinjve dhe këto konferenca kanë rëndësi të madhe në studimet sociale. Më tej, ajo preku çështjet e gjinisë në emërimet e posteve dhe profesioneve.
Ndërsa Prof. Dr. Ayhan Tekines, i ardhur nga Vjena posaçërisht për Konferencën, cilësoi dy koncepte kryesore që lidhen me gjininë: sigurinë dhe diskriminimin. Sipas Prof. Tekines, diskriminimi e ka shmangur vëmendjen e njerëzve nga siguria, duke u shndërruar në cenuesin më të madh të saj. Më tej ai foli për lidhjen mes identitetit, sigurisë dhe diskriminimit.
Nga ana tjetër, Prof. Dr. Gjergj Sinani ligjëroi mbi lirinë e shtypit dhe rolin e tij në demokraci. Më tej ai trajtoi edhe rolin e shtypit në sistemet diktatoriale duke sjellë një përqasje interesante.
Pas sesionit të hapjes ku ishin të pranishëm një sërë personalitetesh të fushës akademike, fushës së medias e më gjerë, konferenca zhvilloi punimet e saj në disa sesione të tjera.