Zhvillohet workshop-i “Mediat lokale shqiptare përballë sfidave të teknologjisë dhe realitetit të kohës”
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin Hëna e Plotë Bedër, në bashkëpunim me Unionin Shqiptar të Gazetarëve dhe Institutin Shqiptar të Medias. organizoi Workshop- me temë “Mediat lokale shqiptare përballë sfidave të teknologjisë dhe realitetit të kohës”.
Tema ka tërhequr vëmendjen e përfaqësueve të 31 mediumeve të ndryshme, lokale, kombëtare. Në takim referuan Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave te Komunikimit në UHPB, Z.Ramadan Çipuri, Ambasadorja e Francës në Tiranë Znj. Christine Moro, Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik z. Mark Marku, Kryetari i Unionit Shqiptar të Gazetarëve Z.Aleksandër Çipa, Kryetari i rrjetit të televizioneve lokale Z. Edmon Isaku etj.
Në fjalën e tij Z.Çipuri u fokusua në situatën aktuale me të cilën mediat lokale po përballen. Sipas tij, mediat në tërësi po përballen me realitetin e ri teknologjik, ku interneti po kthehet në një platformë për të gjitha ato. “Jetojmë në një kohë kur çdo gjë është bashkuar dhe mbledhur në internet, një platformë e përbashkët kjo për të gjitha mediumet. Operatorët gjithmonë e më tepër po afrojnë pajisje me kosto më të lirë.. gjë kjo që do të thotë se në një të ardhme të shkurtër edhe në Shqipëri njërëzit do të kenë mundësi të marrin shërbime interneti dhe mediatike me kosto të ulët.”, tha ai.
Nga ana tjetër, Znj. Christinë Moro, Ambasadore e Francës znj. pasi vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti në një ditë kaq të rëndësishme për lirinë e shtypit, bëri një pasqyrim mbi realitetin e lirisë së medias në botë, problematikat që hasen më shpesh nga gazetarët duke i ilustruar me shembuj nga tregu mediatik francez. Znj. Moro u ndal më pas në çështjet që lidhen me etikën e medias si një element tepër i rëndësishëm.
Ndërkohë kryetari i Unionit të Gazetarëve shqiptarë , Z Aleksandër Çipa u ndal më shumë në nevojën e respektimit të normave të etikës dhe deontologjisë nga ana e mediave shqiptare. Ai u shpreh se ka ardhur koha që gazetarët dhe drejtuesit e mediave të bien dakort për të firmosur një memorandum për etikën në mediat shqiptare si një tregues i vullnetit për të përmirësuar situatën aktuale.
Më pas të pranishmit firmosën memorandumin e përgatitur nga Unioni i Gazetarëve . në memorandum vihet theksi në domosdoshmërinë e rithemelimit të një ndërgjegjeje të munguar etike.
Ekspozita
Përpara fillimit të workshop-it, të pranishmit morën pjesë në çeljen e ekspozitës me temë " Tranzicioni shqiptar në titujt e gazetave" përgatitur nga studentët e Shkencave të Komunikimit. Pas një pune të gjatë studentët arritën të mbledhin dhe seleksionojnë faqet e para të gazetave shqiptare që pasqyronin , ngjarjet më të rëndësishme të tranzicionit nga viti 1991 dhe deri në ditët e sotme. Ekspozita u vizitua nga përfaqësuesit e medias lokale dhe kombëtare si edhe të ftuarit e shumtë .
Ndërkohë ambasadorja franceze u shpreh në lidhje me ekspozitën se “teksa ajo paraqet një realitet të dy dekadave pas vitit 1991, tani po përballemi me nje tranzicion të ri, i cili ka të bëjë me mbërritjen e teknologjive të reja të informacionit. Sot po përpiqemi të kuptojmë se si këto teknologji po ndikojnë në vetë jetën e shtypit dhe se si mund të sigurohemi në këto kushte të reja se shtypi do të jetë lirë të luaj rolin e tij në sistemet demokratike.”.