Zhvillon punimet konferenca e dytë ndërkombëtare në shkencat e edukimit
Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit në Universitetin Hëna e Plotë-Bedër në bashkëpunim me Universitetin “ Pamukkale” në Turqi, Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit dhe Institutin për Zhvillimin e Arsimit, organizuan Konferencën e Dytë Ndërkombëtare në Shkencat e Edukimit me temë “Teknologjitë e informacionit dhe komunikimit në edukim”. Në konferencë morën pjesë studiues dhe akademikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Gjermania, Çekia, Turqia dhe vende të tjera të cilët referuan mbi tema që lidhen me përdorimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit në edukimin e brezave të ardhshëm.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësues të universiteteve që organizuan këtë konferencë, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, akademikë, studiues si dhe të ftuar të tjerë.
Kryetari i konferencës, njëkohësisht dhe Dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit Dr. Ahmet Ecirli ( Exhirli), në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe shprehu bindjen se organizimi i kësaj konference, në Shqipëri, është një mundësi për studiuesit dhe akademikët që vijnë nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë, që të shkëmbejnë ide dhe eksperienca dhe të ofrojnë idetë e tyre, në kuadër të shtrirjes së përdorimit të teknologjisë së informacionit në arsim. Ai vuri theksin në rëndësinë që ka marrë përdorimi i këtyre teknologjive në mësimdhënie duke shtuar se Shqipëria përbën një mundësi reale në këtë drejtim. “Unë jam i bindur se pjesëmarrësit dhe referuesit në këtë konferencë kanë potencialin e duhur për të paraqitur ide dhe studime serioze në drejtim të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Jetojmë në epokën e teknologjisë dhe duhet të përfitojmë prej saj sa më shumë në mënyrë që të arrijmë standarded më të larta botërore në fushën e arsimit” - u shpreh, Dr. Exhirli.
Ndërkohë në fjalën e tij para të pranishmëve , rektori i Universitetit Hëna e Plotë Bedër, Dr. Ferdinand Gjana theksoi se “Përdorimi dhe integrimi i TIK përbën pjesën kryesore të axhendës së politikave për shoqëritë në zhvillim. TIK konsiderohet sot si një katalizator i rëndësishëm për përshpejtimin e zhvillimit, aftësinë në tërheqjen e investimeve, krijimin e hapësirave në punësim, promovimin e dijes dhe kontributin për inovacionin e një qeverisje cilësore, efiçente dhe transparente. Kur flasim për rolin e TIK në fushën e edukimit nënkuptojmë: përmirësimin e aksesit dhe mundësive të barabarta; përmirësimin e cilësisë së edukimit; përmirësimin e rendimentit në sistemin e edukimit; kontributin në formimin e aftësive të reja.”. Ai u ndal gjithashtu edhe në përgjegjësinë që kanë mësimdhënësit të cilët duke shfrytëzuar teknologjinë, të dalin nga nga korniza e tradicionales, duke krijuar mundësinë e prakticitetit në mësimdhënie.
Sipas tij kjo mund të shërbejë për aftësimin e studentëve për t’iu përgjigjur të gjitha problemeve të reja të krijuara nga zhvillimi i teknologjisë dhe në koherencë me ritmet e shpejta të zhvillimit të kësaj teknologjie. Në ceremoninë e hapjes përshëndetën gjithashtu edhe Rektori i Universitetit Epoka Prof. Dr. Remzi Altun, i cili vuri theksin në rëndësinë që duhet t'i japin institucionet e arsimit përdorimit të teknologjisë.
Punimet e konferencës i përshëndeti gjithashtu edhe drejtoresha e Institutit për Zhvllimin e Arsimit, Dr. Tidita Abdurrahmnani. Gjatë sesioneve të konferencës do të referohen rreth 50 kumtesa nga pjesëmarrësit.