“Korniza ligjore për bashkëpunimin ndërshtetëror në menaxhimin e krizave të emigracionit dhe refugjatëve”
Departamenti i Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër, në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Lubljanës, Slloveni, organizuan konferencën e parë Ndërkombëtare me temë: “Korniza ligjore për bashkëpunimin ndërshtetëror në menaxhimin e krizave të emigracionit dhe refugjatëve”
Në ceremoninë e hapjes së konferencës ishin të pranishëm zv. Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, Ms. Masa Šiftari, Prof. Dr. Vasilka Sancin, zv. Dekanja e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Ljubljanës, Rektori i Institucionit Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Përgjegjësi i Departamentit të Drejtësisë në Bedër, z. Ferdinand Xhaferaj, akademikë të ardhur nga vende të ndryshme të ballkanit, të ftuar specialë e studentë të shumtë.
Pas fjalës hapëse të kryetarit të konferencës z. Xhaferaj, ku pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në aktivitet dhe palën bashkëpunuese për të vënë në jetë këtë platformë të diskutimit të krizave aktuale në botë që kanë të bëjnë me emigracionin dhe refugjatët i’a la fjalën zv. Ambasadores Šiftari, e cila u shpreh entuziaste për bashkëpunimin e ngushtë jo vetëm në nivel shtetëror por tashmë edhe në nivel akademik ndërinstitucional ndërmjet Sllovenisë dhe Shqipërisë.
Më tej ishte radha e Rektorit të Institucionit z. Gjana, i cili pasi ndau me të pranishmit rëndësinë e menaxhimit të krizave të tilla në ditët e sotme, theksoi se e ardhmja e përbashkët duhet të ndërtohet nga kontributi i të gjithëve ne, prandaj gjetja e zgjidhjeve të mundshme për bashkëpunimin ndërshtetëror në menaxhimin e krizave të emigracionit dhe refugjatëve, është mision që duhet konkretizuar sa më parë.
Ndërsa zv. Dekanja e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Ljubljanës, Prof. Dr. Vasilka Sancin, njëkohësisht edhe folësja kryesore e konferencës, gjatë referimit ndau me të pranishmit një sërë problematikash të hasura në menaxhimin e krizave të emigracionit dhe refugjatëve.
Pas përfundimit të ceremonisë së hapjes punimet e konferencës vazhduan më tej në disa sesione të ndryshme paralele ku referuesit pjesëmarrës ndanë me të pranishmit një sërë aspektesh që lidhen jo vetëm me aktualitetin e krizës së emigrantëve por edhe me zgjidhet e implementueshme në çdo rast.
Ndër temat e shumta që u trajtuan nga të ftuarit përmendim: “Siguria kombëtare dhe e drejta për azil”, “Siguria ndërkombëtare e refugjatëve e parë në kontekstin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, “Implementimet legale në zgjidhjen e krizave të refugjatëve dhe sfidat për menaxhim”, “Parashikimi i emigrimit në ligjet ndërkombëtare” etj.
Ekstremizmi në shekullin e 21, Roli i Ligjit, Medias dhe Kulturës
Kolegji Universitar Bedër në bashkëpunim Universitetin e Barit “Aldo Moro” Itali, organizuan Konferencën e 5-të Ndërkombëtare në Shkencat Humane me temë: “Ekstremizmi në shekullin e 21, Roli i Ligjit, Medias dhe Kulturës”.
Ashtu si çdo vit tjetër konferenca mblodhi sëbashku akademikë, studiues, ekspertë e profesionistë të fushave të ndryshme për të ndarë ekspericena dhe përfundime kërkimore në aspekte të ndryshme që përfshin tema e këtij edicioni të konferencës.
Punimet e konferencës u përqendruan kryesisht mbi rolin e ligjit, medias dhe kulturës në fenomenin e ekstremizimit të dhunshëm. Këtë gjë e dëshmon edhe larmishmëria e punimeve, të tilla si: “Raportimi i tematikës fetare në median online”, “Liria fetare”, “Roli i dialogut ndërkulturor në shoqëri”, “Sundimi i ligjit në kundërshtim me ekstremizimin e dhunshëm”, “Parimi i drejtësisë për të parandaluar ekstremizimin”, “Pluralizmi fetar në burimin primar të Islamit” etj.
Pas sesionit të hapjes ku ishin të pranishëm një sërë personalitetesh përfaqësuese jo vetëm të institucioneve bashkëpunuese në organizimin e konferencës por edhe të fushës akademike, fushës së medias e më gjerë, konferenca zhvilloi punimet e saj në disa sesione paralele.
Qasjet inovative në shkencat e edukimit dhe ato sociale në shekullin e 21
Departamenti i Shkencave të Edukimit në Kolegjin Universitar Bedër, zhvilloi Konferencën e 5-të radhazi Ndërkombëtare me temë: “Qasjet inovative në shkencat e edukimit dhe ato sociale në shekullin e 21”.
Ky edicion i konferencës vjen si bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
E zhvilluar në sallën e konferenave të Bedër, konferenca mblodhi sëbashku akademikë dhe studiues nga disa vende të ndryshme të rajonit, si: Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Greqia.
Punimet e konferencës u përshëndetën nga përfaqësuesit dhe dekanët e fakulteteve të shkencave të edukimit në institucionet bashkëpunuese. Përmendim këtu, Rektorin e Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh optimist se përfundimet e referuesve përsa i përket problematikave themelore që hasin fusha e edukimit dhe ajo sociale në ditët e sotme, do të sjellin në fokus zgjidhjet më të përshtatshme për tu aplikuar në çdo rast.
Më tej, Dekani i Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Assoc. Prof. Dr. Fatmir Vadohej, shprehu kënaqësinë e të qenit institucion bashkëpunues në një platformë të tillë të diskutimit të problematike dhe qasjeve të reja që përballet fusha e edukimit në shekullin aktual. Gjithashtu ai shprehu gatishmërinë e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional në organizime të tjera të ngjashme.
Zhvillohet Konferenca e parë Virtuale Ndërkombëtare në Gjuhë dhe Letërsi Angleze
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin Bedër, në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Tiranë dhe International BURCH University në Sarajevë, organizuan konferencën e dytë ndërkombëtare në gjuhë dhe letërsi angleze.
E zhvilluar virtualisht, kjo konferencë, e para në llojin e saj mblodhi sëbashku një numër të konsiderueshëm akademikësh dhe studentësh nga e gjithë bota.
Në lidhje të drejtpërdrejtë me skype, referues të ndryshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, India, Malaizia, Shqipëria, Gjeorgjia, Maqedonia dhe Nigeria, prezantuan punimet e tyre në lidhje me aspekte të ndryshme të gjuhës dhe letërsisë angleze. Teksa studentët e pranishëm që ndoqën punimet në po të njëjtën formë, me pyetjet dhe komentet e tyre i dhanë një formë interaktiviteti konferencës.
Kryetari i konferencës Dr. Mahmut Terci, në fjalën e tij përshëndetëse, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet, u shpreh i entuziazmuar për faktin se tashmë gjuha dhe letërsia angleze e kthyer në objekt studimi, me anë të teknologjive të reja krijon hapësira për zhvillim të vrullshëm në këtë fushë.
Konferenca zhvilloi më tej punimet e saj në disa sesione. Ndër temat e trajtuara deri më tani nga referuesit përmendim: “Rikonceptimi i Kulturës dhe Letërsisë në botën e sotme shkencore”, “Përdorimi i teknologjive mësimore në ELT”, “Kërkimi shkencaor aktiv si armë për mësuesit apo studiuesit e gjuhës angleze” etj.
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: "Familja në një kontekst global"
Bedër në bashkëpunim me Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, zhvilluan konferencën e përbashkët shkencore me temë: “Familja në një kontekst global: Perspektivat aktuale dhe të së ardhmes”.
Punimet e konferencës u përshëndetën nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e tij Z. Bujar Nishani, i cili gjatë referimit të tij e cilësoi familjen si një prej qelizave bazë të shoqërisë dhe ftoi të rinjtë dhe institucionet që të jenë shërbëtorë të devotshëm të saj. Po ashtu gjatë ceremonisë së hapjes ishte i pranishëm edhe Shkëlqesia e tij Vincenzo Paglia, President i Këshillit Papnor për Familjen në Vatikan, i cili gjatë referimit mbi dashurinë në familje e vuri theksin te harmonia familjare si një element thelbësor në zgjerimin e saj në rang kombëtar.
Ndërsa Sh. T. Alberto Cutillo, Ambasador i Italisë në Shqipëri, në fjalën e tij përshëntetëse tha se: “Nyja kryesore e jetës dhe ekzistencës tonë është familja. Për këtë pasuri, ne të gjithë së bashku duhet të bëjmë më shumë duke qenë të bashkuar dhe duke punuar për të përmirësuar kushtet për një familje të shëndoshë.”
I pranishëm në këtë panel ishte edhe Nunci Apostolik në Shqipëri. Sipas tij këndvështrimi shpirtëror i aspekteve të ndryshme të shoqërive të sotme është themelor në garancinë e një familjeje të ndërtuar mbi baza të forta për brezat e rinj.
Më tej Rektori i Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen si dhe bashkëpunëtorët në organizimin e kësaj konference, u shpreh se sot ka tendenca për të nënvlerësuar apo edhe zhvlerësuar plotësisht rolin real dhe të natyrshëm të familjes, duke e shkatërruar atë si strukturë sociale.
Bedër mbledh sëbashku studiues dhe akademikë nga 13 vende të ndryshme të botës.
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin Bedër, në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Tiranë dhe International BURCH University në Sarajevë, organizuan konferencën e parë ndërkombëtare në gjuhë dhe letërsi angleze.
Kjo konferencë ndërdisiplinore e cila mblodhi sëbashku akademikë, studiues, si dhe studentë të nivele të ndryshme, synon të krijojë një ambient komod për shkëmbimin e eksperiencave dhe punëve kërkimore si dhe për të diskutuar zgjidhjet e mundshme në këtë fushë.
Në këtë edicion të parë, konferenca numëron rreth 40 referues të ardhur nga 13 vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Angli, Gjermani, Rumani, Turqi, Indi, Iran, Nigeri, Hungari, Ukrainë, Poloni, Bosnje-Hercegovinë, Egjipt dhe sigurisht nga Shqipëria duke marrë kështu një karakter tërësisht ndërkombëtar.
Zhvillon punimet Konferenca e 4-rt Ndërkombëtare në Shkencat Humane
Universiteti Bedër në bashkëpunim me Institutin FRIEDE në Austri dhe Fondacionin JË në Turqi, organizuan konferencën e 4-rt Ndërkombëtare në Shkencat Humane me temë: “Identiteti, Kultura dhe Komunikimi”.
Ashtu si çdo vit tjetër konferenca mblodhi sëbashku akademikë, studiues, shkenctarë e profesionistë të fushave të ndryshme për të ndarë ekspericena dhe përfundime kërkimore në të gjitha aspektet që përfshin tema e ICH.
Punimet e konferencës u përqendruan kryesisht mbi diversitetin kulturor si një burim pasurimi të qytetërimeve dhe jo si një terren konflikti. Këtë gjë e dëshmon edhe larmishmëria e punimeve, të tilla si: “Identiteti i munguar i shtypit Shqiptar”, “Dyzimi i simbolikës kombëtare”, “Kultura dhe Identiteti shqiptar në film dhe letërsi”, “Prania dhe ndikimi i elementëve propagandistik në mjetet e komunikimit masiv”, “Koncepti i Europës si identitet kulturor”, “Të menaxhosh konfliktet ndërkulturore” e shumë të tjera.