Lajme & Aktivite
Ambasadori i Republikës së Indonezisë në Sofje, Sh.T.Z Iwan Bogananta, viziton Kolegjin Universitar Bedër
Rektori i Kolegjit Universitar Bedër Prof. Dr. Gjergj Sinani priti në një takim ambasadorin e Republikës së Indonezisë në Sofje, i akredituar edhe për vendin tonë, Sh.T.Z Iwan Bogananta.
Gjatë këtij takimi z. Sinani e njohu z. Bogananta me Kolegjin Universitar Bedër, vizionin e tij, bashkëpunimet, programet e studimit dhe me studentët e huaj.
Me tej u diskutua mbi bashkëpunimet e mundshme mes Kolegjit Universitar Bedër dhe Ambasadës së Indonezisë, në fushën e arsimit dhe shkëmbimit të eksperiencave në edukim dhe kërkim shkencor.
Gjithashtu ambasadori u njoh nga afër edhe me studentet indonezianë të cilët studiojnë në Bedër.
Leksion i hapur me temë “Parimi i Konfliktit të Interesit: Raste nga Praktika”, nga znj. Rozarta Rrgallina
Departamenti i Drejtësisë në kuadër të lëndës “E Drejta Administrative I”, organizoi një leksion të hapur me temë “Parimi i Konfliktit të Interesit: Raste nga Praktika”, me të ftuar znj. Rozarta Rrgallina, eksperte e Shqipërisë pranë Iniciativës Rajonale kundër Korrupsionit.
Znj. Rrgallina shpjegoi për studentët raste konkrete mbi konfliktin e interest, solli në vëmendje Autoritetet dhe strukturat përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji nëpër institucione si dhe detyrat kryesore të këtyre institucioneve.
Gjithashtu znj. Rrgallima u fokusua tek llojet e konfliktit të interest si: konflikt faktik i interesit, konflikt në dukje i interesit, konflikt i mundshëm i interesit, konflikt rast për rast i interesit dhe konflikt i vazhdueshëm i interesit.
Mbahet ceremonia hapëse e projektit “Urtësitë e Traditës Profetike”
Klubi studentor “Mendim, Kulturë dhe Art Islam”, në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Islame, organizoi dje ceremoninë hapëse të projektit “Urtësitë e Traditës Profetike”, i cili këtë vit mbahet për herë të dytë. Ky projekt, i cili do të zhvillohet në formë konkursi, synon njohjen e dobive dhe urtësive të traditës së Profetit Muhammed (s.a.s.). Të pranishëm në këtë event ishin edhe Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu dhe Zv. Kryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica, rektori i universitetit Bedër Dr.Gjergj Sinani; Përgjegjësi i departamentit të Shkencave Islame, Dr.Xhemal El Safarty, të cilët treguan për vlerën që ka Tradita Profetike dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të përkrahur këtë nismë të dobishme dhe të nevojshme për kohën që jetojmë!
Leksion i hapur me temë “Kapitalizmi digjital, kontradiktat e digjitalizimit të industrisë” nga PhD. Peter Schadt
Fakulteti i Teknologjisë dhe Biznesit, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze organizuan për studentët leksionin e hapur me PhD. Peter Schadt me temë “Kapitalizmi digjital, kontradiktat e digjitalizimit të industristë”. Në leksion, u diskutuan gjerësisht kontradiktat e procesit të digjitalizimit ndër të cilat përmendim interesin në rritje të kompanive për të digjitalizuar prodhimin e tyre, programin Industry 4.0 të shtetit gjerman si dhe rolin e punës në kapitalizmin e digjitalizuar. Nuk munguan pyetjet e studentëve lidhur me temën e trajtuar, duke e bërë edhe më interaktiv takimin.
Lancohet fushata "Aty për Ju" nga studentët e programeve Master në Shkenca Komunikimi
Studentët e masterit shkencor në programin "Marrëdhënie me Publikun" dhe profesional në programin "Komunikim Marketingu" lançuan ditën e djeshme fushatën "Aty për Ju". “Aty për ju“ ka në fokus ardhjen në ndihmë grave kryefamiljare të cilat janë në kushte të vështira ekonomike dhe të papuna. Pjesëmarrës në lancimin e kësaj fushate ishin sipërmarrës, gazetarë, aktivistë e persona publikë të njohur, të cilët u shprehën të gatshëm për t’i mbështetur studentët në nismën e tyre. Nuk munguan edhe përfaqësues të universitetit, studentë e pedagogë. Ndërmarrja e fushatave të ndryshme me tematika që lidhen me ndërgjegjësimin dhe ndihmën e grupeve të ndryshme në nevojë është bërë tashmë një traditë shumëvjeçare dhe mjaft e suksesshme për studentët e masterit shkencor dhe profesional pranë Departamentit të Shkencave të Komunikimit të realizuara në kuadër të lëndës “Konceptim dhe menaxhim fushatash”.
Leksion i hapur me temë “Decentralized Ledger Technology and Blockchain”, nga Z.Klevis Shkembi
Studentët e Shkencave Kompjuterike zhvilluan leksionin e hapur me Z.Klevis Shkembi me temë “Decentralized Ledger Technology and Blockchain”. Z.Shkëmbi prezantoi principet kyçe dhe teknologjitë kryesore, të cilat kontribuojnë në ndërtimin e Web3.0. Blockchain dhe NFTs ishin dy teknologjitë kryesore të cilat u diskutuan në vazhdim. Në fokus të diskutimit ishin mënyra sesi këto teknologji operojnë, funksionojnë dhe situatat ku këto teknologji mund të aplikohen për të ndërtuar sisteme më të sigurta për përdoruesit.
Një pikë tjetër e rëndësishme e diskutimit ishte dhe programimi në Blockchain, ku studentët u informuan se çfarë duhet të përdorin për të programuar një Smart Contract. Në fund të prezantimit u diskutua për problemet dhe sfidat që Blockchain duhet të adresojë për një adoptim më të gjerë. Studentët ishin të interesuar dhe kuriozë për perdorimin e kriptovaluteve në jetën reale dhe çfarë ndikimi do të ketë Blockchain në tregjet financiare.
Trajnim me temë “Formimi profesional, një urë lidhëse midis universitetit dhe tregut të punës” nga Znj. Silvana Gerxhani
Programi i Informatikës Ekonomike në Kolegjin Universitar Bedër zhvilloi trajnimin me temë “Formimi profesional, një urë lidhëse midis universitetit dhe tregut të punës” në kuadër të aktiviteteve ekstrakurrikulare të parashikuara nga departamenti për këtë vit akademik.
E ftuar për të mbajtur këtë trajnim ishte Znj. Silvana Gerxhani, eksperte me një eksperencë 15 vjecare në sektorin bankar dhe themeluese e qendrës së konsulencës “DD Business Solutions”. Si fillim u prezantua fokusi i qendrës dhe sesi ajo synon të lidhë studentët më tregun e punës. Qëllimi kryesor i trajnimit ishte plotësimi i njohurive të marra gjatë studimeve me aftësi praktike që të përafrojnë më tepër me tregun e punës, duke integruar specifika nga sektori bankar.
Në pjesën e fundit, studentët u njohën me departamentet kryesore të një banke dhe aftësitë e buta dhe teknike që kërkon secili prej tyre dhe u mbyll me një diskutim të lirë.
Sesion informues me temë “Si të shkruajmë një CV dhe një letër motivuese”
Zyra e Planifikimit të Karrierës në Kolegjin Universitar Bedër organizoi për studentët sesionin informues me temë: “Si të shkruajmë një CV dhe një letër motivuese”. I ftuar në këtë session informues ishte Dr. William Martin, pedagog në Departamentin e Edukimit dhe Gjuhës Angleze. Dr. Martin shpjegoi për studentët pikat thelbësore të strukturës së një letre motivuese dhe pikat kryesore që duhet të përfshihen në CV. Në sesionin informues u theksua se letra motivuese duhet të jetë shumë e qartë, pa gabime gramatikore, të përfshihen shembuj konkretë nga jeta profesionale dhe të jetë origjinale. Dr. Martin solli shembuj konkret dhe me këshillat e tij ju erdhi në ndihmë studenteve në përgatitjen e CV-së dhe letrës së motivimit.