Lajme & Aktivite
Klodiana Lala, takim me studentët e komunikimit
Në kuadër të seminareve "Studenti dhe profesioni", organizuar nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit, ishte e ftuar gazetarja e njohur Klodiana Lala.
Ajo diskutoi me studentët në lidhje me vështirësitë që ka raportimi çështjeve të bujshme në kronikën e zezë. Znj. Lala ndau me studentët disa nga eksperiencat më domethënëse të karrierës së saj mbi 20-vjecare në gazetari, si dhe sekrete profesionale që i kanë shërbyer si çelës për të kuptuar të vërtetat.
Studentet iu drejtuan gazetares Klodiana Lala me pyetje në lidhje me vështirësitë e profesionit, duke shprehur kuriozitetin që i ka ngjallur ajo si personazh, por edhe sektori i gazetarisë që ajo mbulon në media.
Rikthim në Bedër si profesionistë
Në kuadër të aktivitetit “Rikthim në Bedër si profesionistë”, u zhvillua një bashkëbisedim mes të diplomuarve dhe studentëve të Departamentit të Drejtësisë. Të ftuar ishin Ermal Mema, i punësuar si asistent ligjor në studion “Bendo, Legal & Financial”, Mandrit Kamolli, i punësuar si asistent projektesh në organizatën “National Democratic Institute (NDI)” dhe Armando Sina, i punësuar si avokat pranë studios ligjore “ADCA”. Gjatë bashkëbisedimit, të ftuarit shpjeguan eksperiencën e tyre si studentë në Bedër dhe angazhimin e tyre në aktivitete ekstrakurrikulare, të cilat ndikuan në aftësimin e tyre të mëtejshëm, duke i mundësuar vazhdimin e studimeve master në vendet europiane, si: Francë, Angli dhe Itali. Më pas, u ndalën në eksperiencën e tyre të punës duke u dhënë studentëve këshilla dhe duke i orientuar rreth hapave që duhet të ndjekin, në mënyrë që të arrijnë të bëhen pjesë e tregut të punës. Aktiviteti u ndoq me interes nga studentët, të cilët krijuan kontakte me të diplomuarit.
Drejtuesit e institucionit takim me Këshillin Studentor
Këshilli Studentor i KU Bedër zhvilloi një takim në formë bëshkëbisedimi me drejtuesit më të lartë të këtij institucioni, të cilët shprehën vlerësimin për angazhimin e studentëve në përfaqësimin e zërit studentor dhe rëndësinë që ata kanë për të realizuar një bashkëpunim të frytshëm në vazhdimësi mes studentëve dhe organeve drejtuese të institucionit. Kjo për të rritur cilësinë dhe për të siguruar përfaqësim të mendimeve, sugjerimeve dhe ideve të studentëve. Gjatë takimit përfaqësuesit e studentëve patën mundësinë të diskutonin rreth kërkesave dhe sugjerimeve të ndryshme si dhe të paraqisnin ide projekte për të ardhmen me fokus tek zëri dhe energjia studentore.
Shpallen fituesit e esesë në gjuhën angleze
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Kolegjin Universitar Bedër, për të gjashtin vit radhazi, organizoi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për konkursin e esesë në anglisht për nxënësit e shkollave të mesme. Në konkursin me temë: “Si ka ndikuar globalizimi në edukim dhe mundësitë e edukimit në botë”, morën pjesë 147 nxënës nga 32 shkolla të mesme, publike dhe private.
Programi filloi me fjalën përshëndetëse të Kreut të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Dr. Lokman Coşkun, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit dhe pjesëmarrësit në konkurs, duke theksuar rëndësinë e shkrimit në organizimin e mendimeve, ndjenjave, dhe ideve, si dhe përmirësimin e aftësive të komunikimit në anglisht.
Më pas fjalën e mori Zv. Rektori për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe njëkohësisht Lektor në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Dr. William K. Martin. Ai prezantoi temën “Elementet e Shkrimit Akademik”, ku rëndësi të veçantë i dha psikologjisë së shkrimit, procesit të ideimit, strukturës së esesë dhe paragrafit, dhe më e rëndësishmja: plagjiatura dhe frika më e madhe e një studenti- një fletë bosh.
Ceremonia u mbyll me ndarjen e çmimeve. Esetë më të mira nga shkollat publike u shpallën ato të: Emiliano Simakut, Eljo Lekës dhe Mikela Sulës; përkatësisht nga Gjimnazi “Ismail Qemali”, Tiranë.
Tre më të mirët nga shkollat private ishin: Breana Shehetila nga Kolegji “Turgut Özal”, Antonio Bitri nga Instituti “Harry Fultz” dhe Aurora Mana nga Kolegji “Mehmet Akif”. Eseja më e mirë e gjithë konkursit u shpall ajo e nxënëses Era Kasmi nga Kolegji “Turgut Özal”, Tiranë.
Fituesit përfitojnë bursë të plotë nga Kolegji Universitar Bedër, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë u vlerësuan me certifikatë pjesëmarrjeje.
Kolegji Universitar Bedër nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Strugës.
Kolegji Universitar Bedër nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Strugës.
Sot në ambientet e Komunës së Strugës një delegancion i KU Bedër të kryesuar nga Prof. Dr. Ferdinand Gjana zhvilluan një takim me përfaqësues të administratës komunale si dhe Drejtorin e NP ”Proaqua”.
Takimi kishte për qëllim lidhjen e një marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve në fushën e arsimit, shkëmbimin e përvojave të studentëve, realizimin e punës praktike si dhe bashkëpunime të tjera ndërkufitare në kuadër të IPA fondeve.
Prof. Dr. Ferdinand Gjana prezantoi të gjitha programet të cilat ofron Kolegji Universitar Bedër, llojet e ndryshme të bursave, si dhe bashkepunimet e ndryshme me disa bashki dhe komuna, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Studentët e KU Bedër, vizitë në Prokurorinë e Përgjithshme
Studentët e programit Master në Drejtësi, të profileve “E Drejtë Penale” dhe “E Drejtë Ndërkombëtare”, zhvilluan sot një vizitë studimore në Prokurorinë e Përgjithshme. Në këtë vizitë ata ishin të shoqëruar nga Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana dhe nga lektorja Ermira Shkreta. Gjatë vizitës u mbajt një diskutim me Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, z. Adnan Xholi, ku u fol rreth temës: “Reforma në drejtësi dhe impakti i saj në institucionin e prokurorisë”.
Studenti ekselent përzgjidhet për t'u bërë pjesë e Agjencisë së Investimeve të Huaja
Hysni Kafazi, i diplomuar për gjuhë dhe letërsi angleze në KU Bedër, është një nga 12 ekselentët me mesatare 10.0 që u përzgjodhën për t'u bërë pjesë e Agjencisë së Investimeve të Huaja, të cilët do të kontribuojnë si përfaqësues të agjencisë, në kryeministri e në ministritë përkatëse, në komunikimin dhe ndërveprimet e qeverisë, me subjektet e interesuara për të investuar në Shqipëri.
Drejtuesit e KU Bedër, vizitë në KMSH
Drejtuesit e Kolegjit Universitar Bedër zhvilluan një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku delegacioni i kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Gjana, u prit nga Kryetari, H. Bujar Spahiu. Ata i shprehen atij urimet me rastin e zgjedhjes së tij në krye të KMSH-së.
Gjatë takimit u prekën një sërë tematikash në lidhje me ecurinë e deritanishme të KU Bedër, si dhe bashkëpunimet e ardhshme në fushën e arsimit të lartë. Kryetari Spahiu i falënderoi përzemërsisht ata për vizitën dhe i uroi për ecurinë e mëtejshme të universitetit.