Lajme & Aktivite
Studentët e Drejtësisë organizojnë "Gjyq Stimulues"

Në kuadër të lëndës “Sisteme Ligjore të Krahasuara”, studentët e vitit të tretë bachelor të Departamentit të Drejtësisë, organizuan një gjyq simulues me qëllim zbatimin në praktikë të leksioneve që marrin në klasë dhe përshtatjen e tyre me situatat e botës reale.
Gjykimi nga një gjyqtar dhe gjykimi i jurisë, është një nga dallimet kryesore të Civil Law dhe Common Law, prandaj është e rëndësishme të kuptohen dallimet midis tyre në mënyrë që të kuptohet më qartë dhe mënyra se si funksionojnë këto dy sisteme ligjore. Gjyqi simulues përmbante pjesën më të madhe të elementeve të një gjykimi real, duke përfshirë trajtimin e dëshmitarëve dhe dëshmive, si dhe dhënien e argumenteve përpara një jurie, e cila do të japë verdiktin përfundimtar.
Nëpërmjet këtij projekti studentët patën mundësi të shikojnë në praktikë, mënyrën se si të argumentohet në rastet përpara një jurie dhe të kuptojnë mënyrën se si funksionon gjykimi me juri. Gjyqi simulues u organizua me mbështetjen e studentëve nga Departamenti i Shkencave Islame, Departamenti i Gjuhës dhe Letërisë Angleze, Departamenti i Shkencave të Edukimit dhe Departamenti i Shkencave të Komunikimit, studentët e të cilëve ishin anëtarë të jurisë gjykuese.
Në fund të gjyqit simulues, anëtarët e jurisë pas një diskutimi të gjatë dhanë edhe verdiktin përfundimtar mbi rastin e trajtuar.
Klubi studentor “Mesazhi i jetës” organizon seminarin "Kur librat flasin" VI

Departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me klubin studentor “Mesazhi i Jetës” në kuadër të vazhdimit të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, zhvilluan ditën e sotme, takimin e gjashtë, ku kanë diskutuar rreth veprës “Tre elementët e strukturës së Fesë Islame” me të ftuar z. Xhemal Balla dhe Dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi.
Gjatë aktivitetit, nën moderimin e studentit Abdullah Bulku, Prof. Asoc. Dr. Rrahim Ombashi bëri një prezantim të veprës dhe me korpusin fetar, kulturor e shkencor që do mund të gjenim në këtë vepër.
Ndërkohë që i ftuari i këtij aktiviteti z. Xhemal Balla, bëri një analizë të përgjithshme të veprës si dhe foli më gjërë rreth tre elementeve të Fesë Islame, siç janë Islami, Imani dhe Ihsani. Ai foli edhe për shkaqet që e kishin shtyrë deri në realizimin e kësaj vepre dhe nevojën e shoqërisë sonë për një vepër të tillë. Libri është i ndërthurur me një pasuri argumentash sa nga burimet bazë të fesë (Kurani dhe Suneti), ashtu edhe nga shkenca dhe historia. Metoda me të cilën autori e prezantoi veprën është e atillë sa libri nuk është synuar vetëm në përmbushjen e nevojave të besimtarve myslimanë, por ai u drejtohet edhe atyre që duan ta studiojnë apo të njihen me argumentet e besimit Islam. Ndërkohë që Z. Balla ftoi të gjithë studentët e Departamentit të Shkencave Islame të shfrytëzojnë materialet e këtij libri por edhe të zgjerojnë hulumtimet e tyre drejt kërkimeve shkencore në të ardhmen.
Cikli i seminareve “Kur librat flasin” do të vazhdojë gjatë javëve në vijim me të ftuar të tjerë, të cilët do të analizojnë dhe bashkëbisedojnë me studentët për një sërë veprash të autorëve të ndryshëm.
"Marrëdhënia e medias me audiencat në epokën digjitale"

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar "Bedër" organizoi ditën e djeshme workshop-in me temë "Marrëdhënia e medias me audiencat në epokën digjitale".
Për të diskutuar në panel morën pjesë Monika Stafa, Kryetare e Këshillit të Ankesave në AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive); Thanas Goga, ekspert i matjes së audiencave dhe profesor në Universitetin e Tiranës; Aleksandër Çipa, Kryetari i Unionit të Gazetarëve; Dr. Erlis Çela, përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër; Dr. Edlira Mali, lektore pranë të njëjtit departament, si dhe Doc. Dr. Ramadan Çipuri, lektor në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës.
Gjatë workshop-it panelistët diskutuan në lidhje me audiencat në epokën dixhitale, ndërtimin e një tregu mediatik, etikën dhe deontologjinë e mediave në Shqipëri si dhe për sfidat e gazetarit përballë multimedialitetit në ditët e sotme.
Z. Thanas Goga u ndal në rëndësinë që ka ndërtimi i një modeli të gjithë pranuar dhe transparent për matjen e audiencave. Ndërsa Znj. Stafa u shpjegoi studentëve rolin e Këshillit të ankesave në përgjigjen që u jep reagimit të audiencave për përmbajtjen televizive.
Studentët e masterit në Shkencat e Komunikimit shprehën mendimet e tyre në lidhje me temën e workshop-it, si dhe diskutuan me të ftuarit për nevojat e zbatimit të etikës në media si dhe përmirësimin e kushteve të punës së gazetarëve. Një theks i veçantë u vu në mungesën e statistikave të besueshme për matjen e audiencës si dhe nevojën e studimeve mediatike që do t’i vinin në ndihmë AMA-s për të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me rregullimin e tregut mediatik.
Seminar me studentët e Shkencave të Edukimit

Departamenti i Shkencave të Edukimit kishte të ftuar z. Birol Inaltekin, Drejtor i Arsimit në fondacionin “Gylistan”, i cili referoi përpara studentëve temën “What is an IB education?” Gjatë seminarit studentët e “Bedër” u njohën me teknikat e reja të edukimit të fëmijëve në ditët e sotme.
“Mësuesit duhet të kuptojnë se fëmijëve nuk mund t’u diktojnë se çfarë të mendojnë, por duhet t’u mësojnë se si mund të mendojnë rreth çështjeve të ndryshme”, shtoi ndër të tjera z. Inaltekin. Gjithashtu ai vuri theksin te karakteri unik i qenieve njerëzore dhe rëndësia që ka perceptimi në ndjenjat e tyre. Si rrjedhojë, mënyra se si çdo nxënës mëson nuk mund të jetë e njëjtë. Gjatë seminarit studentët u njohën gjithashtu me praktika të ndryshme të mësuesve nëpër botë.
Në fund të seminarit studentët e Shkencave të Edukimit kishin mundësinë që të pyesnin në lidhje me mundësitë e përmirësimit të edukimit dhe ndikimin e rëndësishëm që ka edukimi në shoqërinë shqiptare.
MASR akrediton katër module trajnimi të paraqitura nga Kolegji Universitar “Bedër”

Komisioni i Akreditimit të Programeve të Trajnimet në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë akreditoi katër module trajnimi për punonjësit arsimorë, të paraqitura nga Kolegji Universitar “Bedër”. Pas këtij vendimi, Fakulteti i Filologjisë dhe Edukimit në KUB ka të drejtën organizmit të trajnimeve për zhvillimin profesional të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar.
Katër modulet e trajnimit janë:
1. “Zhvillimi moshor i fëmijëve dhe të rinjve”;
2. “Menaxhimi i klasës dhe konflikteve”;
3. “Zhvillimi i aftësive sociale dhe punës në ekip”;
4. “Vlerësimi i të nxënit”.
Trajnimet do të mbahen nga pedagogë dhe trajnerë me eksperiencë të Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit në Kolegjin Universitar “Bedër”, me kredite të njohura nga KAPT.
Ambasadori Lu, takim me të rinjtë në Kolegjin Universitar "Bedër"

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, zhvilloi një takim të hapur me studentë në Kolegjin Universitar “Bedër”, fokusuar në modelin shqiptar të harmonisë, bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar.
Fillimisht përcollën mesazhet e tyre studentët përfaqësues nga katër institucione të larta akademike: Enxhi Hasmeta, Kolegji Universitar “Bedër”, Erjeta Çela, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”; Kristabela Goga, Akademia Teologjike Ortodokse; dhe Zef Marku, Instituti Teologjik Katolik. Në mesazhet e tyre studentët ndanë mbresat nga takimet e ngjashme të zhvilluara më parë, si dhe eksperiencat nga jeta personale.
Ambasadori Donald Lu përgëzoi nismat e tilla. Si shembull të bashkëjetesës fetare ai dha edhe atë të familjes së tij.
Gjatë fjalës ambasadori amerikan motivoi të rinjtë për të vazhduar në rrugën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare. “E di që të gjithë ju do të jeni pjesë e brezit që do t’i japë fund dhunës që justifikohet përmes fesë”, shtoi z. Lu.
Takimi me studentët vazhdoi me pjesën pyetje-përgjigje, ku Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu, së bashku me të pranishmit e tjerë, theksuan rolin e rëndësishëm që kanë të rinjtë në ecjen përpara të shoqërisë shqiptare.
Kryeredaktorja e emisionit “Opinion”, Desada Metaj e ftuar në seminarin “Studenti dhe profesioni”

Në kuadër të seminareve “Studenti dhe profesioni”, Departamenti i Shkencave të Komunikimit kishte të ftuar ditën e sotme kryeredaktoren e emisionit “Opinion” në Tv-Klan, Desada Metaj.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët znj. Metaj ndau eksperiencat e saj të raportimit në terren si dhe sfidat e profesionit të gazetarit. Duke u nisur edhe nga kurioziteti i studentëve, kryeredaktorja e “Opinion” u tregoi një ditë të zakonshme të organizimit të emisionit politik shumë të ndjekur nga shqiptarët.
Duke u ndalur të pasioni që ka një gazetar për profesionin e tij dhe momentet e vështira gjatë punës në terren, drejtuesja e redaksisë së emisionit “Opinion”, ndau me studentët momentet e përjetuara gjatë raportimit nga Beogradi në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Studentët u interesuan për tema që kanë të bëjnë me marrëdhënien e gazetarëve me politikën si dhe sfidat që ka gazetaria e ditëve të sotme në raport me zhvillimet teknologjike.
Në fund të seminarit studentët patën mundësinë të bëjnë pyetje të ndryshme në lidhje me profesionin e gazetarit, sfidat e terrenit dhe vetëcensurën e gazetarëve të rinj. Nga ana e saj, znj. Metaj i nxiti studentët, që të jenë këmbëngulës në profesionin e tyre të ardhshëm duke ndërtuar një raport të ngushtë me të vërtetën dhe interesin e publikut.
Drejtuesja e NDI (National Democratic Institute), e ftuar në seminaret Brownbag

Në vijim të takimeve Brownbag Seminars, të klubit studentor “Beder Law Students Association”, sot me datë 25.01.2018 ishte e ftuar znj. Ana Kovacevic, drejtuese e NDI Albania (National Democratic Institute).
Gjatë takimit me studentet e drejtësisë, znj.Kovacevic bëri një prezantim të organizatës për tu fokusuar më pas në një diskutim të hapur me studentët dhe pjesëmarrjen e tyre në politik-bërje dhe vendim-marrje.
Temat kryesore që u prekën gjatë takimit ishin angazhimi i grave dhe vajzave në politikë, rritja e rolit të të rinjve në politike si dhe rrugët alternative për rritjen e këtij roli.
Takimi i sotëm ishte një frymëzim për studentët e drejtësisë për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e mëtejshem të demokracisë në vend.